Miqë të nderuar,

kam kënaqësinë  t’iu njoftoj se e kam hapur  portalin personal  përmes të cilit dëshiroj të ndaj bashkë me ju pikëpamjet, idetë, qëndrimet dhe rrëfimet e ndryshme nga e kaluara, ngjarjet që na përcollën në fundshekullin e kaluar. Në veçanti  dua të shënoj ngjarjet mbi historinë e mërgatës sonë, për punën dhe angazhimin e madh që ajo ka bërë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Këto do t‘i bëj duke shfletuar sirtarët dhe dokumentet  bazë të cilat rexhistruan ngjarjet e kohës përmes shkrimeve dhe tregimeve autentike.


Përmes kësaj dritareje informative, dëshiroj që kohë pas kohe së bashku me ju të krijojmë frymën e mirëkuptimit, respektit dhe bashkëpunimit  të ndërsjellë, me synimin më fisnik që filozofisë, mendësisë politike dhe kombëtare t’i ofrojmë alternativë të re për të begatuar më tej pluralizmin e ideve dhe koncepteve ideore me të cilat do ta begatojmë atë me vizion të ri nacional dhe kulturor, gjithnjë konformë rrjedhave të kohës, ngjarjeve, rrethanave si dhe evoluimit filozofik e bashkëkohor në të gjitha sferat e jetës.

Dëshiroj që me ju së bashku të ndërtojmë të tashmen e cila nga ne kërkon vullnet, angazhim dhe përkushtim ku përmes publikimit të ideve, projekteve, dokumenteve bazike, shkrimeve dhe komenteve të ndryshme, do t’i vejmë themel të fortë zhvillimit të kombit si dhe të ardhmes më të sigurtë për gjeneratat e ardhshme.


Jam i sigurtë se bashkërisht do bëjmë gjithçka që ta ruajmë frymën e gjertanishme të komunikimit vëllazëror, mirëkuptimit dhe tolerancës ndërmjet  njëri tjetrit, me qëllim të afirmimit dhe kultivimit më dinjitoz të vlerave tona kombëtare.


Natyrisht, jam i bindur se bashkëpunimi ynë për bazë themelore do ta ketë respektin e fjalës dhe mendimit të lirë, pa censurë, pa ofendime, fyerje dhe nënçmime, duke respektuar kodin dhe etikën e sjelljeve ndaj njëri tjetrit. Mbase, ky do të jetë edhe kushti  themelor mbi të cilin do të ndërtohet suksesi dhe bashkëpunimi ynë brenda kësaj faqeje interneti, e cila, shpresoj se shumë shpejtë do të shndërrohet në tribunë të mirëfilltë politike, informative, kulturore dhe gazetareske, ku mendimi ndryshe do të çmohet si vlera më e madhe e demokracisë dhe publicistikës bashkëkohore.

Me respekt, Hafiz Gagica       

Fügen Sie hier die neuesten Meldungen in Kurzform ein. Zum Beispiel Informationen zu anstehenden Terminen, offenen Stellenangeboten oder besonderen Angeboten.

Die Kurzmeldungen können Sie dann mit einem ausführlichen Artikel auf der Seite Aktuelles oder einer anderen Unterseite verlinken.

Bonn-i, i dha lamturmirën e fundit ikonës së diplomacisë gjermane dhe evropiane, burrështetasit të madh!
Hans-Dietrich Genscher, emri i një burrështeti dhe politikani që bartë me vete peshën e madhështisë, respektit dhe urtësisë diplomatike.
E kujtoj gjithnjë dhe padashje vijnë krahasimet dhe dëshira për një mëkëmbje politike dhe një vetëdije të dinjitetshme te politika dhe njerëzit e saj në Kosovën tonë!
Hans-Dietrich Genscher lavdi e përjetshme, Kosovës rilindje dhe dalje sa më të lehtë nga kjo gjendje që po ngulfatë çdo ditë edhe vet termin Demokraci!
Hafiz Gagica
 
Berlin 17 Prill 2016
SALI ÇEKAJ, SIMBOL I PAVDEKSHËM I LIRISË DHE PAVARËSISË SË KOSOVËS..!
Sali Çekaj është dhe do mbetet pa dyshim simboli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, i cili ra heroikisht në betejën e Koshares legjendare (1999), duke shkruar me germa të arta historinë dhe lavdinë e kombit shqiptar në Kosovë. Saliu qysh kur u themeluan grupet e para ushtarake në Shqipëri në vitin 1991 e kishte trasue rrugën e hyrjes me armë në Kosovë, ku bashkë me Adem Jasharin , Zahir Pajazitin, Edmond Hoxhën dhe shumë të tjerë i ndërmerrnin aksionet ushtarake duke sulmuar caqe dhe pika strategjike të armikut.
Sali Çekajn e njoha qysh në vitin 1991 kur për herë të parë erdhi në Gjermani dhe u kyç në Degën e LDK-së, për të qenë njëri ndër anëtarët e kryesisë e më vonë edhe nënkryetar i saj, i cili me punën e tij të palodhshme do bëhet shembulli më sublim i sakrificës dhe luftës së armatosur të popullit shqiptar kundër pushtuesit barbar serb në Kosovë.
Afër një dekadë kemi punue dhe bashkëveprue me Saliun në organizimin e jetës dhe aktiviteteve të mërgatës sonë në Evropë dhe më gjerë, gjithnjë në koordinim të ngushtë me kryesinë e LDK-së në Prishtinë, ku ai pa dyshim, ka luajtur rol të rëndësishëm në organizimin ushtarak.
Saliu ishte njeri i natyrshëm, fjalë pak, humanist i dalluar, i dashur për familje dhe miq, punoi pa ndonjë rrogë dhe kompensim për vite të tëra në Zyrën e LDK-së në Stuttgart. Ka marrë pjesë në disa aksione guerile në Rrafshin e Dukagjinit, ka koordinue në kontinuitet grupet e vetëmbrojtjes në Kosovë dhe asnjëherë nuk është finansue nga Qeveria në exil edhe pse ajo e kishte për detyrë kushtetuese një gjë të tillë. Pas ofensivës së Prekazit ai shkoi në front dhe tërë kohën punoi për afrimin e krahëve ushtarak dhe ia doli që së bashku me ushtarakët e sprovuar siç ishte Agim Ramadani, tani hero, që ta zhbëjnë kufirin shqiptaro-shqiptar, ndonëse Saliu atë kufi me një grup patriotësh dhe luftëtarëve siç ishte komandanti Adem Jashari e kishin thye qysh në vitin 1991.
Saliu e deshi jetën ndoshta më shumë se ne të tjerët që sot e gëzojmë lirinë e fituar me gjakun e luftëtarëve tanë si dhe ndihmës së ndërkombëtarëve, por ai e deshi më shumë Kosovën e lirë dhe të pavarur, siç e ëndërronte që një ditë ta shihte truallin shqiptar të bashkuar në një shtet etnik.
Me fjalë tjera interesin e Kosovës Saliu e vuri gjithherë mbi interesin personal dhe atë të familjes së tij! Ai e dha gjënë më të shtrenjtë, pra jetën e tij për një Kosovë të lir dhe të pamvarune, më të mirë dhe më të prosperuar se sa kjo që e kemi sot plotë më halle, ngecje ekonomike si dhe plotë dukuri negative..!?
Kujtimi për Saliun dhe gjithë heronjtë e Kosovës duhet të na shërbejë si udhë rrëfim për të punue më shumë për ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës në krye me njerëz dhe figura që nuk janë të inkriminuara në krim të organizuar, korrupsion dhe hajni. Andaj, derisa të ketë shqiptarë heroi Sali Çekaj do të kujtohet brez pas brezi, dhe unë përulem me respekt të madh para veprës së bashkëpunëtorit dhe mikut tim të përjetshëm, tani heroit të Kosovës martire, Sali Çekajt..!
Hafiz Gagica Prishtinë, më 18 Prill 2015
Në kujtimi të heroit, poetit, piktorit, dhe patriotit të shquar, Agim Ramadanit
Agim Ramadani, flijoi jetën për atdhe në ballë të frontit të luftës çlirimtare në Kosharen legjendare, për të hy në pavdekësinë e kombit shqiptar si dhe në historinë më të ndritshme të Kosovës martire !
Agimi ishte poet, piktor, ushtarak i karrierës, anëtar i Akademisë Evropiane të arteve, ishte ushtarë dhe komandant i orëve të para të luftës, tani hero i pavdekshëm i Kosovës.
Agim Ramadani, në moshën më të mirë të jetës së tij e la familjen e ngushtë në Zvicër për t’iu bashkue radhëve të ushtrisë çlirimtare, për t’i dalë zot atdheut në luftën e tij çlirimtare kundër armikut shekullor. Ai, së bashku me shumë trima tjerë iku nga Perëndimi dhe shkoi për t’u shtri tek këmbët e popullit të vetë, duke i qëndrue besnik idealeve të tij për liri dhe çlirim kombëtar, aspirata të cilat ai do t’i realizojë më armë në dorë, duke e na e sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës !
Agimi kishte virtyte të larta njerëzore dhe kombëtare, posedonte vlera krijuese dhe artistike, e që të gjitha këto do i venë në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke mos e kursyer jetën vetëm për ta parë atdheun e tij të lirë dhe të pavarur, fryte të cilat ne sot po i shijojmë. Por, që për fat të keq, liria dhe demokracia për të cilat ai e dha jetën, po nëpërkëmbën dhe po keqpërdoren nga politikanë dhe njerëz të papërgjegjshëm, të cilët po vazhdojnë të abuzojnë me vlerat e luftës dhe lirinë ton, duke shkelë paturpësisht mbi gjakun e Agimit dhe të mijëra dëshmorëve që dhanë jetën për Kosovën dhe pavarësinë e saj !
Kujtimi dhe nderimi ynë për veprën e heroit të kombit, Agim Ramadanit-Katana është obligimi ynë më i vogli që ia kemi borxh këtij tribuni dhe patrioti të rrallë që ka lindur dhe është rritur në gjirin e popullit shqiptar në Kosovë. Dhe, vetëm atëherë kur t’i realizojmë plotësisht objektivat dhe synimet, për të cilat ai e dha jetën e tij në moshën më të mirë, atëherë kemi të drejtë të flasim me krenari më të madhe për të sesa sot, dhe, se në asnjë mënyrë nuk kemi të drejtë që akademitë e tyre përkujtimore t’i shndërrojmë në tubime biznesi ose ti keqpërdorim për qëllime politike !
Jeta dhe vepra e heroit Agim Ramadani, duhet të jetë shembulli më i mirë për të gjithë ata që pretendojnë të merren më punët e shtetit, se si duhet sakrifikue dhe flijue veten për të mirën dhe interesat e atdheut.
Shembulli i Agimit duhet të jetë udhë rrëfimi më i ndritshëm për gjithë ata që duan ta ndërtojnë dhe ruajnë vendin e tyre nga rreziqet dhe armiqtë shekullor..!
Lavdia dhe përjetësia i takon Agimi Ramadanit, ndërsa neve na mbetet kujtimi dhe respekti i pashuar për veprën e tij madhore të cilën ia dhuroi Kosovës, si dhe përmbushja e obligimeve tona që kemi ndaj amanetit të tij dhe dëshmorëve që na e lanë ndaj atdheut tonë të dashur, që ta ruajmë dhe zhvillojmë sa më mirë !
Me respekt të veçantë përherë do përulem para veprës sublime të heroit Agim Ramadani !
Hafiz Gagica,
Prishtinë, 11. Prill 2016
NË KUJTIM TË PROFESOR FEHMI AGANIT
Kujtimi për Prof. Fehmi Aganin është obligim, nderë dhe krenari kombëtare.
Me Profën, siç e quanim gjithherë, më lidhin shumë kujtime, biseda, konsultime, udhëtime dhe takime. Rrugëtimet dhe takimet me Profën gjithnjë kalonin shpejt, sepse ai ishte njeri pragmatik dhe plotë me optimizëm. Po ashtu, proceset e lirisë i shihte të mundshme dhe të realizueshme, gëzohej sidomos kur ne të rinjtë rebeloheshim. Ai dinte të na inkurajonte dhe me humorin e tij të rrallë si dhe rrotllat që na i tregonte, sikur na qortonte për të mirën e përgjithshme.
Vitet po ecin dhe kujtimet për profesor Aganin mbesin po ato që ishin, vetëm sa vijnë e shtohen edhe më shumë, bashkë me mallin për mungesën e tij. Profesor Agani me frymën e tij tërheqëse prej mendimtarit, të urtit dhe vizionarit, i mungon shumë Kosovës, dhe kam frikë se do shkon edhe një kohë e gjatë derisa ta kemi një figurë të ngjashme, siç ishte profa i nderuar, me të cilin kam pasur nderin dhe kënaqësinë që për vite të bashkëpunoj.
Sot po shkëpus një fjali kujtimi nga bisedat e shumta që kemi pasur.
Siç dihet, në vitet e 90-ta marrëdhëniet në mes të qeverisë së Kosovës në exil dhe politikëbërjes në Kosovë dhe degëve të ldk-së në Perendim, ishin të acaruara.
Profesor Agani, mundohej ta menaxhonte situatën dhe shpeshherë e thoshte, po e citoj ”Kjo që po ndodhë tani, në rrethana normale do të ishte e dobishme, sepse përmes grindjeve politike dhe ideve ndryshe do të dinamizonte funksionimin e institucioneve, por në rrethanat okupuese përçarjet e tilla nuk lejohen. Dhe, për mendimin tim, edhe sikur të isha i sigurt se kam të drejtë, do të druhesha në qëndrime të tilla agresive, sepse mosha që kam nuk më lejon me gabua. Madje, nuk kam as kohë me u korrigjua, kurse ju që jeni më të rinj ndoshta një ditë do të korrigjoheni, edhe pse gabimet e rënda lënë gjurmë dhe ato mund të na kushtojnë në këtë rrugëtim të vështirë, por shumë fisnik në jetësimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës..”.

Dikur kam menduar se ideja e lirisë, demokracisë dhe zhvillimit si opsion politik dhe filozofik i Ibrahim Rugovës i mbështetur fuqishëm nga Profesor Fehmi Agani, do na shërbenin për një vetëdijesim edhe më të fuqishëm për t’i çuar proceset përpara, por me kohën ato filluan me u zbehë. Profa do të thoshte; “me të gjitha vështirësitë që i kemi, ne kemi bërë një rrugë të mirë përpara dhe tani jemi të pavarur, por këtë pavarësi duhet ta zhvillojmë dhe begatojmë..”

I përjetshëm qoftë nderimi për Profën dhe njeriun e madh të Kosovës, me shpresë dhe besim se brezi i ri punën dhe veprën e tij do ta përvetësojë si një frymëzim të veçantë, për t’i siguruar vetës dhe gjithë kombit shqiptar një të ardhme më të mirë.

Lavdi e përjetshme i qoftë Profesor Fehmi Aganit ! — mit Prof.Fehmi Agani. — mit Sofije Dumnica, Foto nga aktivitet me Degën e LDK-së në Gjermani., Marjan Tunaj und Akademik Fehmi Agani hier: Köln Nrw.
Stuttgart 6 .05.2014

http://www.hafizgagica.com/Hafiz_Gagica/Shkrime/Archiv.html

http://www.hafizgagica.com/Hafiz_Gagica/Shkrime/Archiv.html

SELIM KOCA, ISHTE ATDHETAR DHE AKTIVIST I MADH I ÇËSHTJES KOMBËTARE..!

Për ngushëllime në fshatin Polac të Drenicës së bashku me Ali Krasniqin, Shaban Bobajn, Ajet Mehmetin, Smajl Hoxha, Bedri Fazlia, Arsim Morina, Selim Dulla, Muharrem Avdyli, nga e pamja në fshatin Polac të Drenicës, tek familja e Kajtaz Kocit, njërit nga bashkëluftëtarët besnik të Shaban Polluzhës, aty ku lindi dhe u rritë patrioti, humanisti i Kosovës dhe i mërgatës patriotike, tani i ndjeri Selim Koca!

Selim Koca, në fund të viteve të 60-ta si shumë shqiptarë në ato vite e kishte marrë rrugën e gyrbetit, kur Enti për inkuadrim i Kosovës në bashkëpunim më ministrinë e punës gjermane, po dërgonte më mijëra shqiptarë në Gjermani, më emrin “Gastarbeiter”, dhe jo zyrtarisht thuhej se numri i tyre kishte arritur përafërsisht në 80 mijë veta, në mesin e të cilëve ishte edhe Selim Koca.

Ai, më të vendosur në Gjermani pas një kohe të shkurt do të punësohet në Konzernin “Mercedes Benz” në Sindelfingen afër Stuttgartit. Në këtë gjigant të prodhimit të veturave të njohura në botë, në vitet 80-ta ishin të punësuar përafërsisht 100 shqiptarë, e, që të gjithë njiheshin si punëtorë të mirë të cilët më kursimet e tyre arrinin t’i mbanin familjet e tyre në një gjendje të vështirë ekonomike, siç mbretëronte asokohe në Kosovën e robërueme.

Selim Koca, me punën dhe aktivitetin e tij do shquhet, si njëri nga mërgimtarët më aktiv me kontributet e tij të jashtëzakonshme, i cili në fund të viteve të 70-ta do jetë përkrahës i fortë i Lëvizjes çlirimtare e udhëhequr nga intelektuali dhe patrioti, Jusuf Gërvalla, i cili, po ashtu, ishte detyruar të largohet nga Kosova për shkak të përndjekjeve të regjimit policor jugosllav!

Selim Koca, së bashku me Mejdi Rexhën, Shaban Bobajn, Esat Dushicën, Shaban Klaiqin, Islam Rafuna, Hismet Klaiqi, Avdyrrahman Sadiku, Taip Toska, Ismail Ismaili, Hasan Shkodra, Sylë Tetova, Nuhi Sylejmani, Enver Ismaili, Isak Shkodra etj, në kontinuitet do jetë shumë aktiv, duke mos u nda kurrë nga pjesëmarrja e tij në protestat dhe demonstratat që organizoheshin në atë kohë për ndërkombëtarizimin e kërkesës për Kosovën Republikë. Ai gjithashtu, është dallue për dhënien e ndihmave financiare për Kosovën, sa herë që një gjë e tillë është kërkuar nga ai, pra ishte gjithnjë i gatshëm ta jap kontributin e tij pa kursye asgjë për vendlindjen dhe popullin e tij, i cili pa dyshim, ishte shembulli më i mirë prej atdhetarit të madh dhe i përkushtuar me tërë qenien e tij për të mirën e Kosovës!

Selim Koca, pa asnjë mëdyshje, e përkrahu lëvizjen e Jusuf Gërvallës, siç bëri edhe me rastin e formimit të LDK-së në Gjermani, duke qenë ndër anëtarët e parë të saj, dhe i cili deri në ditët e fundit të jetës së tij do qëndroi fuqishëm dhe me fanatizëm të rrallë përkrah vizionit politik dhe kombëtar të presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Selimi, ishte i palëkundur në mbrojtjen dhe përkrahjen e përpjekjeve për pavarësinë e Kosovës, mbase ishte shumë i bindshëm në argumentet që ua ofronte bashkatdhetarëve në tubimet e panumërta, se Ibrahim Rugova është shpëtimi i Kosovës dhe i kombit..! Ai mbështeste fuqishëm idealet e Shaban Polluzhës, por i besonte pa rezervë vizionit të Ibrahim Rugovës për liri dhe pavarësi, duke qenë në miqësi të përhershme me SHBA-të dhe Gjermaninë !

Selim Koca, ishte shumë i rreptë në fjalorin e tij ndaj atyre që provonin me fut përçarje dhe ndasi në mesin e veprimtarëve të çështje sonë kombëtare, siç ishte shumë i ashpër ndaj disa bashkëpunëtorëve të pushtuesit serb, dhe të cilët vazhdonin ta pengonin punën e lëvizjes patriotike dhe kombëtare, siç njihej LDK-ja në Perëndim!

Në fillim të viteve të 90-ta kur në Stuttgart u hap zyra e LDK-së si dhe ajo e Kosovës, Selim Koca, apo siç njihej në mesin e bashkëkombësve, Baca Selim, do kontribuoi pa ndërpre në mbarëvajtjen e këtyre zyrave, sidomos në kohën kur Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa i kishin vënë sanksionet e tyre ndaj Degës së LDK-së në Gjermani. Pra, Baca Selim, do të na ndihmoi dhe shpeshherë edhe do na huazoi mjete financiare për mbartjen e zyrës dhe kryerjen e aktiviteteve tjera!

Baca Selim, tani prehet në vendlindjen e tij të lirë, në atdheun e tij të pavarur, ashtu siç e deshi dhe për të cilin luftoi gjatë tërë jetës së tij. LDK-ja dhe shteti i Kosovës i kanë shumë borxh Bacës Selim, ashtu siç iu kanë borxh edhe shumë aktivistëve tjerë të çështjes sonë kombëtare, të cilët nuk kursyen asgjë për ta parë Kosovën e lirë, të pavarur, të zhvilluar dhe demokratike. Sepse, në vitet kur të gjithë po luftonim për realizimin e synimeve tona kombëtare, përmes të gjitha formave, mjeteve dhe luftës çlirimtare, nuk ekzistonte asnjë aktivist apo individ që punonte për përfitime personale apo familjare, siç po ndodh tani me një numër të madh të politikanëve tanë, ngase interesat kombëtare i kishin vu mbi çdo interes dhe obligim tjetër personal..!

Në të pamën për Selim Kocën atë ditë kishin ardhur edhe disa aktivist të ditëve të para të LDK-së, e që gjendeshin në Kosovë, ku disa prej tyre tanimë janë kthye në vendlindje, ndërsa ne arritëm në Polac rreth orës 11.00, ku na pritën djemtë e Bacës Selim, vëllai i tij, kushërinj, miq dhe bashkëfshatarë, shokë dhe dashamirë, të cilët vinin për ngushëllime dhe krye shëndosh pa ndërpre, ashtu siç e kishte meritue vetë Selim Koca !

Në fund të këtij rrëfimi për jetën dhe veprën e njërit ndër bashkatdhetarët më të devotshëm të çështjes së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, siç ishte atdhetari dhe patrioti Selim Koca, veç tjerash, është nderë dhe obligim që ta shkruajmë dhe mos ta harrojmë punën dhe kontributin e Bacës Selim, i cili punoi pa hile për vendin e vet, duke e vazhdue rrugën dhe luftën e babës së tij dhe të Shaban Polluzhës, për Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Bacën Selim e kam njohur që nga fillimi i viteve të 80-ta, të cilin do kujtojmë përjetësisht unë dhe familja ime, bashkë me emrin dhe figurën e tij prej njeriut të dashur, punëtor, besnik dhe përkrahës i imi i pa luhatshëm!

U ndamë nga familja e Bacës Selim me shumë dhimbje dhe emocione, me shumë kujtime dhe mall për njeriun i cili nuk është më në mesin tonë, por që fjalët, puna dhe përkushtimi i tij do na mbeten gjithmonë shembull dhe udhë rrëfim për ne dhe gjenerata e ardhshme, se si punohet dhe luftohet për liri dhe bashkim kombëtar..!

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës, atdhetarit të madh, Selim Kocës !

Hafiz Gagica
Stuttgart, më 20.04.2016